Studimi tregon se mbrojtja ndaj shtrimit në spital mbetet e njëjtë tek të gjitha moshat, te personat nga 18 deri në 79 vjeç
Sipas një studimi në shkallë të gjerë në Afrikën e Jugut përfundimet e të cilit u publikuan të martën, vaksinimi me dy doza të Pfizer-it siguron vetëm 33% mbrojtje kundër infeksionit nga varianti Omicron i koronavirusit, por mbrojtja kundër rasteve që kërkojnë shtrim në spital ishte 70% .
Analiza e parë në shkallë të gjerë për efektivitetin e vaksinës në rajonin ku u zbulua varianti i ri, mbështet atë që dihej paraprakisht – se Omicroni është më lehtësisht i transmetueshëm dhe se vaksina Pfizer nuk është aq efektive në mbrojtjen kundër infeksionit sa ishte kundër variantit Delta. Analiza u bazua në më shumë se 211,000 rezultate pozitive të testit COVID-19, 41% nga të rritur që kishin marrë dy doza të vaksinës Pfizer.
Studimi u krye nga Discovery Health, kompania më e madhe e siguracionit shëndetësor privat në Afrikën e Jugut dhe Këshilli i Kërkimeve Mjekësore të Afrikës së Jugut.
Studimi filloi që në javët e para të nëntorit kur u zbulua varianti Omicron nga shkencëtarët në Afrikën e Jugut dhe Botsvana. Studiuesit theksuan se gjetjet janë paraprake dhe jo të rishikuara nga kolegët.
Rezultati tregon se individët e vaksinuar që kanë marrë dy doza të vaksinës Pfizer kanë 33% mbrojtje kundër infeksionit nga Omicron, në krahasim me ata që ishin të pavaksinuar.
Kjo përbën një rënie të konsiderueshme nga mbrojtja prej 80% që kishte vaksina ndaj variantit të mëparshëm, ndoshta për shkak të aktivizimit më të ulët të antitrupave, pas mutacioneve të proteinave në variantin Omicron.
“Ajo që është shumë inkurajuese është fakti se efektiviteti i vaksinës me dy doza të Pfizer-it qëndron 70 për qind ndaj komplikimeve të rënda me variantin Omicron, të cilat ne i masim me shtrimet në spital” tha shefi ekzekutiv i kompanisë Discovery Health Dr. Ryan Noach.
Kjo mbrojtje kundër shtrimit në spital është reduktuar nga niveli 93% që kishte vaksina ndaj variantit Delta.
Studimi tregon se mbrojtja ndaj shtrimit në spital mbetet e njëjtë tek të gjitha moshat, te personat nga 18 deri në 79 vjeç, me nivele pak më të ulëta mbrojtjeje për personat e moshuar, 67% për moshat 60 deri në 69 vjeç dhe 60% për personat e moshës 70 deri në 79 vjeç./Burimi:Panorama