Të gjithë të rënët e Luftës së Dytë Botërore” është studimi i parë i Akademisë së Studimeve Shqiptare që vjen në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.
Historianë dhe studiues hedhin hapin e parë të çeljes së dialogut dhe rishikimit të një periudhe të rëndësishme dhe shumë të diskutueshme të popullit shqiptar.
Megjithëse të dhënat zyrtare të dëshmorëve të rënë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare bëjnë për 28 mijë viktima, ky botim i ri flet për të tjera shifra.
Partizanë, ballistë dhe legalistë të rënë në luftë janë rreth 7200, ndërkohë që 2222 shqiptarë janë vrarë nga forcat komuniste në atë që quhet si lufta civile në vend.
Botimi i historianëve flet gjithashtu për 5500 viktima civile si dhe rreth 17 mijë ushtarë të huaj, italianë (14.500) dhe gjermanë (2400) që humbën jetën në luftë.
Rreth 30 mijë viktima numërohen në luftën e dytë botërore në Shqipëri, sipas të dhënave të publikuara nga ky studim.
Gjatë promovimit në COD, Kryeministria, u theksua rëndësia e këtij studimi me listat emërore të të rënëve në Luftën e Dytë Botërore, i cili fakton se viktimat nuk ishin vetëm nga radhët e partizanëve dhe armiqve, dhe se antifashizmi ka qenë padyshim pluralist.
Kryeministri Edi Rama tha se çështja e Luftës së Dytë Botërore mbetet e hapur pasi historia pas luftës u shkrua nga regjimi diktatorial, të cilët i mëshuan me gjithë brutalitetin e vet shprehjes “Historinë e shkruajnë fitimtarët”.
Studimi për kohën e luftës në Shqipëri vjen me kontributin e çmuar të studiuesve dhe profesorëve të njohur: Prof. Dr. Nevila Nika, kryetare ASSH-së; Prof. As. Dr. Hasan Bello; Prof. Asoc. Dr. Marenglen Kasmi; Dr. Çelo Hoxha; PhD Florian Çullhaj. Autorët risjellin ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, përmes një perspektive më të gjerë, duke integruar të gjitha të dhënat e disponueshme për të kuptuar më në thellësi këtë periudhë të trazuar.
PPërveçse një përpjekje për të rishikuar dhe rivlerësuar të dhënat historike të Shqipërisë, ky botim i ASSH-së, institucioni i krijuar në gjirin e Universitetit Europian të Tiranës, është edhe një ftesë për studiuesit, historianët dhe studentët e angazhuar, të mos i ndalin përpjekjet për të vendosur nën dritën e fakteve dhe të vërtetave të kaluarën tonë.