Stuhi të fuqishme kanë përfshirë Europën qendrore dhe jugore duke vrarë të paktën 12 persona, përfshirë 3 fëmijë. Vdekjet që kanë ndodhur kryesisht si pasojë e rrëzimit të pemëve, u shënuan në Itali, Austri dhe në ishullin francez të Korsikës. Stuhitë pasojnë valën disa javore të të nxehtit në pjesën më të madhe të kontinentit.
Në Korsikë reshjet e dendura dhe erërat me shpejtësi deri në 224 km/h shkulën pemët dhe dëmtuan kamperat e turistëve. Autoritetet thanë se një vajzë 13-vjeçare kishte humbur jetën pas rrëzimit të një peme në një zonë kampingu.
Një 46-vjeçar u vra në një incident të ngjashëm, ndërsa një grua në të 70-tat vdiq pasi automjeti me të cilin udhëtonte u godit nga çatia e shkëputur nga një shtëpize në plazh. 2 persona të tjerë humbën jetën në det.
Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin, i cili mbërriti në Korsikë të enjten, tha se të paktën 20 persona ishin plagosur, 4 prej të cilëve në gjendje të rëndë.
“Dua t’i shpreh të gjithë mbështetjen Korsikës dhe veçanërisht familjeve që ishin këtu me pushime e që kanë humbur të dashurit e tyre. Erëra ekstremisht të dhunshme, të cilat ishin të paparashikuara, morën jetën e 6 personave mes të cilëve edhe fëmijë të vegjël, duke lënë 20 të plagosur, 4 prej të cilëve në gjendje të rëndë”, tha ai.
Në Francën kontinentale disa zona jugore u goditën nga ndërprerje të energjisë dhe rrugët u përmbytën në qytetin e dytë më të madh, Marsejë.
Reshje të dendura dhe rrëshqitje dheu goditën pjesë të Carinthia në Austri, ku 2 vajza të moshës 4 dhe 8 vjeç, u vranë pas rrëzimit të një peme. Më vonë 3 gra humbën jetën në një incident të ngjashëm në rajonin e Austrisë së poshtme. Autoritetet thanë se 13 vetë ishin plagosur, përfshirë 5 fëmijë.
2 viktima u shënuan edhe në rajonin e Toskanës në Itali ndërsa në Venecia erërat e forta ngritën në ajër çadrat përgjatë Sheshit të Shën Markut dhe shembën një pjesë muri nga kulla e Katedrales. Por në Italinë jugore vala e të nxehtit vazhdon, me Sicilinë që po përvëlohet në temperaturat 40 gradë.