Të paktën 22 persona u vranë dhe disa dhjetëra të tjerë u plagosën në dy episode të shtënash masive në SHBA që kanë për autor të njëjtin person, një 40-vjeçar i cili ka arritur të largohet, duke nxitur një gjueti të vërtetë njeriu nga ana e policisë.

Të shtënat ndodhën në një bar-restorant dhe sallë boulingu në qytetin Lewiston të shtetit Maine. Policia publikoi dy foto të të dyshuarit, Robert Card dhe paralajmëroi popullatën se ai është i armatosur e i rrezikshëm. Card ishte trajnuar si instruktor i armëve të zjarrit në qendrën stërvitore të Rezervës Ushtarake të SHBA-së në Maine e sipas të dokumenti të siguruar nga Associated Press, Cardi ka qenë i shtruar në një qendër të shëndetit mendor për dy javë verën e këtij viti.

Dokumenti nuk ofron të dhëna specifike për trajtimin apo gjendjen e tij. Në dokument, po ashtu, thuhej se 40-vjeçari kishte raportuar se dëgjonte zëra dhe se kishte kërcënuar se do shtinte me armë zjarri në bazën stërvitore ushtarake në Sako, Maine.

Spitali i qytetit Lewiston tha përmes një deklarate se “po reagonte ndaj një sulmi masiv me viktima të shumta dhe po koordinohej me spitalet e zonës për pranimin e pacientëve”.

Presidenti Joe Biden është informuar dhe do të vazhdojë të marrë përditësime, tha një zyrtar në Uashington. Guvernatorja e shtetit Maine, Janet Mills, tha në një deklaratë se ishte informuar për situatën. Zyrtarët nuk ishin të autorizuar për të folur publikisht për hollësitë e hetimit që po vazhdon, dhe folën për AP në kushte anonimati.

Top Channel