Dy persona u vranë dhe 6 të tjerë u plagosën në një sulm me armë në Oklend të Zelandës së Re.
Autori është një 24-vjeçar i identifikuar si Matu Tangi Matua Reid, i cili u gjet i vdekur në vendin e ngjarjes. Policia tha se sulmi ndodhi në një objekt në ndërtim pranë qendrës së Oklendit.
I armatosur me një pushkë, ai hapi zjarr rreth orës 7:22 të mëngjesit me orën lokale, ndaj punonjësve të ndërtimit. Arsyet e sulmit janë të paqarta. Hetuesit thanë se nuk bëhet fjalë për akt terrori.
24-vjeçari me probleme të shëndetit mendor ishte në arrest shtëpie, i dënuar për dhunë në familje.
Ai ishte i detyruar të mbante një byzylyk elektronik për kontrollin e distancës së lejuar gjatë lëvizjes, por megjithatë, zona ku kreu masakrën ishte brenda hapësirës së lejuar.
Sulmi tronditi mijëra turistë të huaj të mbledhur në Oklend, për hapjen e Kampionatit Botëror të Futbollit për Gra.
Tv Klan