Një turist italian, i identifikuar si Alessandro Parini, u vra dhe pesë të tjerë u plagosën në një sulm terrorist me makinë në Tel Aviv të premten. Sipas policisë izraelite, një makinë u përplas me një grup njerëzish pranë një parku, përpara se të rrokullisej.

Pas sulmit, forcat izraelite të sigurisë qëlluan një 30-vjeçar palestinez që dyshohet se ka qenë autori i kësaj ngjarje.

Videoja në rrjetet sociale tregon momentin kur sulmuesi i dyshuar palestinez u qëllua nga policia izraelite pranë automjetit të përmbysur.

Ky ishte sulmi i dytë vdekjeprurës të premten, pasi dy motra u vranë kur makina e tyre u qëllua në Bregun Perëndimor. Zyra e Jashtme e Britanisë tha se ata ishin shtetas britanikë.

Sulmi vjen në sfondin e tensioneve të rritura pas sulmeve ajrore izraelite mbi objektivat militantë palestinezë si në Liban ashtu edhe në Gaza.

Viktima ishte një turist italian që kishte mbërritur vetëm dje në Tel Aviv, së bashku me miq të tjerë të tij.

“Kryeministrja Giorgia Meloni shpreh ngushëllimet e thella për vdekjen e një prej bashkatdhetarëve tanë, Alessandro Parini, në sulmin terrorist të ndodhur në mbrëmje në Tel Aviv”, thanë nga zyra e kryeministres italiane.