Autori i sulmit të Fakultetin e Filozofisë në Pragë dyshohet të jetë 24-vjeçari David Kozak. Mediat në vend raportojnë se i riu e kishte paralajmëruar sulmin në një postim në Telegram.
Autori është banues në një fshat rreth 21 km larg kryeqytetit. Ai ishte student në të njëjtin universitet.
“Dua të sulmoj shkollën dhe me shumë mundësi të vras dhe veten. Alina Afanaskina më ndihmoi. Unë gjithnjë kam pasur dëshirë të kryej vrasje, kam menduar madje se mund të bëhem maniak në të ardhmen. Është më e leverdishme të bësh një sulm masiv…U ula, prita dhe ëndërrova.”
Alina, që ai përmend në postim është sulmuesja 14-vjeçare që më 7 dhjetor të këtij viti hapi zjarr në një shkollë Bryansk, të Rusisë ku dy studentë mbetën të vrarë dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur.
Kjo është përmbajtja e postimit që raportohet të ketë bërë Kozak përpara sulmit.
Si pasojë e sulmit, të paktën 15 persona humbën jetën dhe 30 të tjerë mbetën të plagosur. Nëntë prej tyre në gjendje të rëndë. Mes viktimave është edhe vetë autori që dyshohet që ta ketë kthyer armën nga vetja në momentin që në vendin e ngjarjes arriti policia.
Në përpjekje për t’i shpëtuar sulmit, disa studentë kanë dalë nga dritaret dhe janë “strehuar” nëpër parvaze, disa të tjerë janë mbyllur nëpër klasa. Po ashtu raportohet se në tentativa për të shpëtuar, një nga studentet u rrëzua nga lartësia dhe humbi jetën.