Kompania ajrore “Air Albania” ka rënë pre e një sulmi kibernetik nga një grup hakerash të cilët i kanë vensour kusht për të paguar një shumë të konsiderueshme parash, raporton Newsbomb.al.
Sipas ekspertëve të teknologjisë, sulmi është kryer mbrëmjen e 30 janarit dhe është i llojit “data breach” apo cënim i të dhënave me “ransomware”, i realizuar përmes Lockbit.
Ky lloj sulmi konsiston në marrjen “peng” të të dhënave, përmes hakerimit të sistemeve të kompanisë, e cila më pas kërcënohet të paguajë një shumë parash në këmbim të rimarrjes së aksesit apo mospublikitmi të të dhënave.
Edhe në rastin e “Air Albania”, grupi i hakerave të “LockBit” raportohet se i ka kërkuar kompanisë të paguajë një shumë parash, që nuk është bërë publike, deri në datën 14 shkurt si afati i fundit.
Air Albania është një nga 7 kompanitë e sulmuara nga LockBit gjatë javës së kaluar, përfshi edhe stacionin televiziv amerikan PBS, si dhe kompanitë CPL Industries, UK, 8×8 e të tjera.
Kjo nuk është hera e parë që linjat ajrore sulmohen me “ransomware”. Më herët LockBit ka targetuar kompani si Air Portugal, Air Asia dhe Kuwait Airlines.
Ndonëse Shqipëria ka qenë prej muajsh nën sulme të vazhdueshme kibernetike nga grupi i hakerave iranianë, “Homeland Justice”, ky sulm ndaj Air Albania nuk është i lidhur me ta.
LockBit ka targetuar me “ransomware” shpesh sektorin e aviacionit. Ata sulmuan Bangkok Airways, një kompani e madhe ajrore në Tajlandë, në shtator të vitit 2021, firmën izraelite të hapësirës ajrore dhe mbrojtjes EMIT Aviation Consulting në tetor të 2021 dhe Kuwait Airlines në qershor të 2022.
LockBit, i cili renditet i pari në botë për sulmet e llojit ransomware, arrin të bllokojë aksesin në kompjuterat e kompanisë, ndërkohë që vjedh ose fshin të dhënat nëse nuk kryhet në kohë pagesa. Shpesh pagesat kërkohen të kryhen përmes kriptomonedhave për shkak të pamundësisë për të gjurmuar transaksionin.
Pavarësisht se sulmi ndaj Air Albania dhe gjashtë kompanive të tjera ndërkombëtare është raportuar nga ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë kibernetike, nga kompania shqiptaro-turke, nuk ka ende asnjë reagim.
Po ashtu, Newsbomb.al mëson se në autoritetet përkatëse nuk është bërë asnjë denoncim për një sulm të tillë. Mesa duket, mbetet për të parë se çfarë do të ndodhë në datën 14 shkurt, që është edhe afati i fundit i vendosur nga hakerat për kryerjen e pagesës.