FiBank ka shkelur një sërë ligjesh, vendimesh të Bankës së Shqipërisë dhe të Gjykatës Kushtetuese duke dorëzuar në Komisionin Hetimor parlamentar të ngritur për incineratorët të dhënat personale të qytetarëve.

Kjo bankë u ka kthyer përgjigje deputetëve të opozitës përmes një shkrese me disa faqe, ku dërgon të dhëna personale për Klodian Zoton. Të dhënat që kanë rrjedhur nga Komisioni Hetimor tregojnë numrin e llogarisë, ditëlindjen dhe gjendjen e llogarisë, që sipas legjislacionit në fuqi klasifikohen si sekret bankar.

Nga formulari që disponon Gazeta Shqip skandali merr përmasa edhe më të mëdha, sepse pjesë e të dhënave që u janë dorëzuar deputetëve dhe që më pas kanë rrjedhur në publik janë edhe lëvizjet ndër vite të llogarisë, derdhjet, transfertat e tërheqjet e bëra nga klienti.

Te kategoria e transfertave përfshihet edhe numri i llogarive pritëse, që thellon edhe më tej këtë superskandal, pasi shkel privatësinë, jo vetëm të Klodian Zotos, por edhe të qytetarëve të tjerë me të cilët ky shtetas ka ndërvepruar përmes FiBank.