“Charlie Hebdo”, revista e njohur satirike franceze i ka kushtuar një kopertinë të veçantë dhe shumë provokuese situatës në Afganistan.
Objekt i imazhit të vizatuar nga karikaturistët janë disa gra afgane të veshura me një burka të veçantë ku bie në sy emri i Leo Messit i cili sapo është zhvendosur në Paris.
“Talibanët janë më keq se sa mendojmë”, ky është titulli i kopertinës së Charlie Hebdo, por kjo ka ngjallur shumë reagime pasi nuk dihet kuptimi i vërtetë i tij. A ka ndonjë lidhje mes talebanëve dhe botës së futbollit, apo mes Katarit dhe regjimit talebanë?
Kjo pasi pronësia e Paris Saint-Germain i përket vendit në gadishullin Arabik që do të presë Kupën e Botës tjetër. Për më tepër, presidenti i parizienëve, Nasser Al-Khelaïfi ka lidhje me familjen e Emirit të Katarit, i cili është burimi kryesor i financimit për kompaninë.
Charlie Hebdo (i njohur gjithashtu për sulmin terrorist të pësuar në 2015 në të cilin vdiqën 12 persona) me kopertinën donte të nënvizonte pikërisht akuzat që ngrihen kundër Katarit për financimin e terrorizmit islamik.