Prokuroria e Elbasanit ka shpjeguar detaje të tjera në lidhje me operacionin e dy ditëve më parë në fshatin Dëshiran të Belshit ku u tentua kapja e të shumëkërkuarit Talo Çela. Sipas prokurorisë, pas dyshimeve se Talo Çela fshihej në një shtëpi në fshatin Dëshiran, ata kanë vënë nën përgjim të zotin e banesës.

Por, ndërkohë që nuk kanë gjetur asnjë bisedë më Çelën, policia ka zbuluar një sasi të madhe parash, lëndë narkotike si edhe armë në shtëpinë e A.Bezatit, i cili u arrestua pak ditë më parë në këtë fshat.

Më herët, policia kishte vënë nën përgjim edhe V.Deliun nga i njëjti fshat me qëllim kapjen e bisedave të tij me Bezatin dhe Talo Çelën, por sërish nuk u zbulua gjë.

Operacioni

Më datë 13.10.2022, ora 07.00 e në vijim, është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit A.Bezati, ndodhur në fshatin Dëshiran të Belshit.

Nga kontrolli në këtë banesë, rezulton se janë gjetur dhe sekuestruar këto sende të cilësinë e provës materiale:

– Një armë zjarri e llojit pistoletë TT, model 54 me një krëhër me 8 fishekë, 539 copë fishekë mod.54, kal.7.62 mm;

– Një armë zjarri luftarake mol.56 dhe kal.7.62 mm, 5 krëhëra hark metalik nga të cilët 4 të mbushur me fishekë mod.56 dhe kal.7.62 mm;

– 2835 copë fishekë mod.56 dhe ka.7.62 mm, 9 copë fishekë armë zjarri mod.53, kal.7.62 mm;  – – 2 granata dore mësymëse;

– 2 ndezësa të unifikuar;

– 3 granata dore të tipit mbrojtëse me ndezësa dhe unifikuar dhe një granatë dorë mbrojtëse me tapë ebaniti;

– Një qese platike me material bimor të thatë të ngjashëm për nga era dhe karakteristikat fizike me lëndën narkotike të llojit cannabis sattiva me peshë totale 3.6 kg, një sasi bimësh të thata me kërcell dhe boçe të ngjashme me bimën narkotike të llojit opium me peshë totale 1.4 kg;

– 2 aparate telefonik celular, 10 copë fishekë armë gjahu kal.12 mm dhe një sasi e konsiderueshme të hollash prej 54.000 lekë, 260.000 lekë, 1.056.000 lekë, 2.170.000 lekë, 220.000 lekë, 980 pound britanik, 4020 pound britanik, 7.250 euro, 1700 euro.

Më datë 13.10.2022, ora 08.25 e në vijim është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit V.Deliu, ndodhur në fshatin Dëshiran të Belshit. Nga kontrolli në këtë banesë rezulton se janë gjetur dhe sekuestruar këto sende të cilësinë e provës materiale:

– Një armë gjahu kal.12 mm, një gjerdan me 30 fishek kal.12 mm si dhe dy kuti me nga 6 dhe 19 fishekë kal.12 mm si dhe një aparat telefonik.

Nga ana e policisë gjyqësore u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Bezati., i dyshuar për veprat penale të: “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” të parashikuar nga neni 278/3/4/5 i K.Penal, “Prodhimi dhe Shitja e narkotikëve” parashikuar nga neni 283/1 i K.Penal dhe “Pastrimit të produketeve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/1 i K.Penal dhe shtetasit V.Deliu., i dyshuar për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa lejë të armëve të gjuetisë dhe sportive” parashikuar nga neni 280 i K.Penal.