Më në fund iMessage do të vijë në Windows. Microsoft lajmëroi ditën e djeshme se Phone Link for iOS ka nisur të vijë drejt përdoruesve të parë, një shërbim që do të bëjë të mundur që përdoruesit e iPhone të kryejnë telefonata, të kontaktojnë përmes iMessage, të aksesojnë kontaktet si dhe të shikojnë njoftimet e smartphone-it direkt në ekranin e laptopit Windows.
Tashmë Microsoft tregon se Phone Link for iOS në Windows 11 do të ofrohet në 39 gjuhë të ndryshme dhe 85 tregje. Do të duhen disa javë deri sa ky shërbim të ofrohet në të gjithë tregjet.
Phone Link ka qenë më parë i aksesueshëm nga përdoruesit e Android, ndërkohë që përdoruesit e iPhone nuk kanë patur një opsion të ngjashëm. Mungesa e suportit për laptopët Windows bënte që përdoruesit e iPhone të mos e konsideronin blerjen e një laptopi Windows.