Multi-device support do të zgjerohet akoma dhe më tepër gjatë ditëve të ardhshme në WhatsApp, duke lejuar përdoruesit të aksesojnë adresën e tyre të WhatsApp në më tepër se 1 smartphone njëkohësisht. Ky lajm u bë i ditur nga Mark Zuckerberg përmes disa postimesh në Facebook dhe Instagram.

Duke nisur nga dita e sotme, ju mund të logoheni në të njejtën adresë të WhatsApp deri në 4 smartphone të ndryshëm.” tha Zuckerberg.

Deri më tani përdoruesit mund ta përdornin adresën e tyre vetëm në një smartphone, por mund ta aksesonin atë në pajisje të tjera njëkohësisht si laptopët, web apo tabletët. Në qoftë se ju tentonit që të aksesonit adresën tuaj në një tjetër smartphone, smartphone-i origjinal do të humbiste aksesin.

WhatsApp është një ndër aplikacionet më të mëdha në botë për sa i përket komunikimit, me më tepër se 2 miliardë përdorues. Megjithatë mbështetja e aksesimit të një adrese në 4 smartphone të ndryshëm u bë e mundur vetëm tani për shkak të zgjidhjes së problemeve me enkriptimin e plotë të chat-eve dhe telefonatave.

Për të përdorur adresën tuaj në një smartphone të ri ju duhet të kopjoni një kod të gjeneruar nga WhatsApp apo të skanoni kodin QR.

Shërbimi pritet të vijë drejt të gjithë përdoruesve të platformës brenda disa javësh.