
GJKKO ka lënë në burg shefin e Rrugores së Tiranës, Roven Zeka dhe atë të sektorit të Aksidenteve, Sokol Novakun, të arrestuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.
Sipas organit të akuzës, ata u arrestuan pasi i kanë marrë ryshfet 2 mijë euro një shofereje që u përfshi në një aksident rrugor në Tiranë më 16 prill. Sipas hetimeve nga SPAK, nga përplasja e dy automjeteve, 5 personat që udhëtonin në njërën nga makinat u dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërsa në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja me iniciale A.V, bashkëshortja e shtetasit E.V, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Raportohet se efektivët e rrugores i kanë kërkuar familjarëve të shoferes me iniciale A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh që të mos e arrestonin.
Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga bashkëshorti i saj me ndihmën e personave të tjerë.
“Këtë shumë ai ia kanë dorëzuar njërit prej punonjësve të policisë rrugore – fakt i provuar gjatë hetimit. Urdhri i ndalimit të shtetasve: E.T, S.N dhe R.Z është ekzekutuar nga BKH, në bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Gjatë kontrolleve të kryera për llogari të këtij procedimi penal janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumat prej; 2.500.000 lekë dhe 26 mijë euro”, informon organi i akuzës.
