Grevë urie në Burgun e Peqinit. Një pjesë e të dënuarve kanë refuzuar ushqimin që nga dita e djeshme. Disa të burgosur pretendojnë se janë kërcënuar nga drejtuesit e institucionit të vuajtjes së dënimit që të ndërpresin grevën, në të kundërt do kalojnë në regjimin 41 bis.
Ata kishin paralajmëruar më herët për këtë grevë urie. Të burgosurit kanë lëshuar disa kërkesa të cilat i kanë bërë me dije edhe për mediat. Ata kërkojnë që të dënuarit që kanë shlyer 3/5 e dënimit të kenë të drejtën e lirimit me kusht, ndërsa ata që kanë shlyer 1/3 e dënimit të marrin leje shpërblyese.
Sipas letrës dërguar medias, të dënuarit shprehen se pavarësisht fajeve që kanë bërë, qëllimi është rehabilitimi dhe integrimi në shoqëri dhe jo ajo që po ndodh që sipas tyre është “ndëshkim fizik dhe psikologjik” duke u trajtuar jo si çdo i dënuar ne vendet e zhvilluara.
Gjithashtu kërkohet që të botohet Kodin e ri Penal, në përputhje me standartet Europiane, pasi është pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi, të votuar me datë 01.08.2017.