Erion Murataj PSD

Katër persona u vranë dhe më shumë se 30 të tjerë u plagosën, si pasojë e sulmeve ruse në rajonin Kharkiv të Ukrainës verilindore, thanë zyrtarët ukrainas sot. Fillimisht, trupat e tre personave u gjetën në rrënojat e shtëpive dhe zyrave në një lagje të Kharkiv, thanë në një deklaratë shërbimet ukrainase të urgjencës.

Pak më vonë, sipas të njëjtit burim, nga rrënojat u gjet një trup i katërt.

Tridhjetë e pesë persona të tjerë, duke përfshirë një fëmijë, u plagosën nga sulmet me dron rus mbrëmë, të cilat shkaktuan zjarre në zonën ku ndodhen shtëpitë dhe zyrat.

Pesë persona të tjerë u plagosën në rajonet ukrainase të Dnipro, Zaporizhia dhe atë të Kievit, sipas autoriteteve lokale, të cilët folën edhe për bastisjet ruse.

Nga ana ruse, sulmet me dron ukrainas vranë një burrë në fshatin Biela Biriozhka në rajonin kufitar rus Bryansk, sipas guvernatorit rajonal, Alexander Bogomaz, i cili akuzoi forcat ukrainase për “sulme të shënjestruar kundër civilëve”.


Një ditë më parë të mërkurën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky denoncoi sulmet e “qëllimshme” me drone ruse kundër infrastrukturës energjitike në vendin e tij, edhe pse të dy palët në teori kanë përfunduar në mënyrë indirekte një marrëveshje të brishtë të pjesshme të armëpushimit, që ka të bëjë pikërisht me ato infrastruktura.

Nga ana tjetër, Moska akuzoi dje Kievin se ka sulmuar “qëllimisht” infrastrukturën energjitike dy herë në rajonin kufitar të Kurskut.

Dy vendet ndërluftuese thanë se secili i kishte përcjellë Uashingtonit informacione për atë që ata ia atribuojnë “shkeljeve” të palës tjetër mbi goditjet ndaj objekteve energjitike.