Redion Zhollanji është një i ri nga fshati Sheqeras, i cili ka studiuar “Menaxhim veterinar” në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë.
Familja e tij ka një fermë ku mbarështon gjedhë dhe të imëta. Zgjedhja e këtij drejtimi studimi erdhi me qëllim që ai t’i shërbejë fermës familjare.
Tashmë të gjitha shërbimet në kafshë ai i kryen vetë dhe thotë se ndihet i plotësuar me këtë profesion.
“Familja ime ishte pjesë e këtij aktiviteti. Mbarështojmë 14 krerë gjedhë dhe disa të imëta. Im atë kujdesej për të ushqyer kafshët, për të marrë prodhim sa më shumë, por për pjesën e mjekimeve nuk ishte aktiv dhe ishim të detyruar të merrnim një mjek veteriner. Mendova që meqenëse është si mundësi ta marr vetë përsipër pjesën e mjekësisë veterinare, që kafshët të jenë sa më të shëndetshme dhe për të marrë vendimin e duhur, jo siç mund të merrte babai para disa viteve kur unë isha ende i paformuar,” tregon z. Zhollanji.
Redioni është një shembull frymëzimi për të rinjtë, që me vullnet e dëshirë mund të arrish të jesh i zoti në profesionin e së ardhmes.