Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mesditën e kësaj të hëne në zonën e Radhimës në Vlorë. Mësohet se në konflikt janë përfshirë dy vëllezërit Benjamin dhe Edison Kondi, për një nga lokalet e plazhit.

Benjamin Kondi pas një debati me të vëllanë, ka nxjerr armën e zjarrit dhe ka qëlluar disa herë drejt vëllait të vogël Edison Kondi. Ngjarja ka ndodhur në “beach bar” Bora Bora, një nga plazhet më të frekuentuara nga të rinjtë.

Fatmirësisht, nga të shtënat me armë nuk ka asnjë person të plagosur, ndryshe nga çfarë u raportua më parë. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, në zonën e Radhimës dhe kanë rrethuar biznesin me shirita të verdhë.

Ngjarja ka tronditur dhe vetë pushuesit që ndodheshin në plazhin “Bora Bora”. Shumë prej tyre janë kanë “mbathur” duke marrë rrobat dhe çfarë kishin në shezlongë. Forcat “Shqiponja” janë vënë në ndjekje të personit që shkrepi armën, Benjamin Kondi.

Dëgjuam të shtënat dhe të gjithë ia futën vrapit. Mbase ishin 2-3 të shtëna. Nuk pamë nëse është lënduar ndonjëri. Kisha frikë por tani kaloi”, është shprehur një turist norvegjez që ndodhej në këtë plazh. Ashtu si pushuesit shqiptarë, ai është larguar nga plazhi menjëherë pas të shtënave.

Mësohet se Benjamin Kondi kishte pak ditë që kishte ardhur nga Anglia dhe ishte në konflikt me të vëllanë, Edisonin, për administrimin e plazhit dhe “beach bar-it” të njohur në zonën e Radhimës. Menjëherë pas plumbave, ai është larguar nga “Bora Bora” në drejtim të paditur.