Nuk kanë të sosur telashet për kryeminstren e Finlandës, Sanna Marin. Këtë herë 36-vjeçarja është detyruar të kërkojë ndjesë për një tjetër histori, këtë herë për një foto të të ftuarve të saj, “topless”, brenda rezidencës qeveritare, teksa puthen, ndërsa spikat mbishkrimi Finlandë.

Edhe njëherë, Marin është kritikuar për këtë stil jetese, jashtë angazhimeve publike, që tashmë po publikohen gjerësisht në rrjet. Marin ka mbajtur një festë private në vilën qeveritare në Helsinki, ku është realizuar fotoja e radhës, për të cilën kryeministrja ka kërkuar ndjesë publikisht, pasi e ka quajtur një foto të papërshtatshme. Por ajo ka sqaruar se ka qenë një festë e ngushtë, me sauna, not dhe kohë mes miqsh.

Edhe pse e vendosur ditët e fundit në qendër të vëmendjes për shkak të videove teksa ajo feston, për finlandezët jeta e saj nuk është aspak sekret, pasi Sanna Marin është vazhdimisht, që prej vitit 2019 kur erdhi në pushtet, është aktive në rrjetet sociale, ku tregon jetën normale të një vajze të re, me takime, festa, muzikë e kërcime, ndonëse është kryetare qeverie.