Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, e cila ka zgjatur rreth një orë e 15 minuta. Sipas një postimi të Trump në rrjetet sociale, diskutimi është përqendruar kryesisht në zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe shqetësimet ndërkombëtare rreth programit bërthamor iranian.

Trump e cilësoi bisedën si “të mirë”, por sqaroi se ajo nuk përfaqëson një hap të menjëhershëm drejt paqes. Sipas tij, presidenti Putin ishte i prerë në qëndrimin e tij lidhur me sulmet ndaj bazave ushtarake dhe aeroporteve në territorin rus, duke i quajtur ato “të papranueshme” dhe duke paralajmëruar se Rusia do të reagojë me vendosmëri.

“Biseda ishte e hapur dhe e drejtpërdrejtë. Nuk ka zgjidhje të shpejtë për paqen, por mbajtja e komunikimit është thelbësore,” u shpreh Trump.

Një tjetër temë e rëndësishme ishte ajo e programit bërthamor të Iranit. Trump theksoi se ka përsëritur qëndrimin amerikan ndaj këtij programi, duke thënë: “Iranit po i mbaron koha. Nuk mund të lejohet të prodhojë armë bërthamore.”

Ai shtoi se, sipas tij, Putini është i një mendjeje me të në këtë pikë dhe është shprehur i gatshëm të angazhohet në konsultime ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.