Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump kanë zhvilluar telefonatë afro 50-minutëshe të shtunën për të diskutuar rreth situatës shqetësuese në Lindjen e Mesme dhe bisedimet e paqes në Ukrainë, kanë bërë të ditur zyrtarët e Kremlinit, raporton AP.

Gjatë bisedës, Putin e informoi Trump sa i përket bisedave të fundit të tij si me liderët nga Irani ashtu dhe Izraeli, teksa përsëriti propozimin e Rusisë për të kërkuar zgjidhje të pranueshme reciprokisht mbi çështjen bërthamore iraniane.

“Përshkallëzimi i rrezikshëm i situatës në Lindjen e Mesme ishte, natyrisht, në qendër të shkëmbimit të mendimeve”, ka thënë para gazetarëve, Yuri Ushakov, këshilltar i presidentit Putin për politikën e jashtme.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan e ka kualifikuar situatën në rajonin e Lindjes së Mesme si shumë shqetësuese.

Bazuar në njoftimin e Kremlinit, Putini e ka informuar po ashtu Trumpin edhe për zbatimin e marrëveshjes të dakorduar në bisedimet e paqes ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë lidhur me shkëmbimin e të burgosurve.

Për Ukrainën, Putin i tha liderit amerikan se Rusia ishte e gatshme të vazhdonte negociatat me ukrainasit pas 22 qershorit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve RIA.

Trump përsëriti interesin e tij për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit, tha ndihmësi i Kremlinit/abcnews.al