Efektivët e policisë kanë ndërhyrë për të shpërndarë protestën që po zhvillohet nga banorët e Rinasit. Banorët u ulën në mes të rrugës duke bllokuar qarkullimin e mjeteve dhe për pasojë ndërhyri policia që kërkoi ngritjen e tyre.
Mes banorëve dhe efektivëve të uniformave blu pati konfrontim fizik . Qytetarët pretenduan se patën leje për të zhvilluar protestë deri në orën 12:00.
Pas përplasjeve me policinë, një prej protestuesve humbi ndjenjat. Për të vënë situatën nën kontroll ndërhynë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
“Erdhëm për paqe nuk erdhëm të kapemi me ju. Ikni ore te shtëpia juaj, kapni kriminelët, shkoni në Ukrainë atje, ndihmoni Ukrainën. Me ne bëni trimin ju? Është turp o burrë”, tha një qytetari.
Pasi autoritetet i shtynë banorët në anë të rrugës, u bë i mundur edhe qarkullimi i mjeteve në një korsi.
Kjo është dita e dytë e protestës së banorëve. Ata dalin kundër vendimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar që e devijon lëvizjen drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, duke e bërë me një sens lëvizjeje.