Tensionet në veri të Kosovës nukduket se do pushojnë, madje situata duket më e trazuar se kurrë më parë, për shkak të protestave nga qytetarët serbë dhe përplasjes së tyre me policinë e Kosovës, pasi kundërshtojnë futjen e kryetarëve të ri në Komunat e veriut.
Duket se për këtë situatë BE dhe SHBA bëjnë fajtor qeverinë e Kosovës. Së fundmi në lidhje me këtë deklaratë, pasi ambasadorit Hovenier dhe sekretarit Bliken, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.
Qasja e BE mbetet e njëjtë me atë të SHBA, ku dënohen ashpër përleshjet mes policisë së Kosovës dhe protestuesve.
“Bashkimi Evropian dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale.
Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore.
Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë. BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet.
Siç ka deklaruar vazhdimisht BE-ja, zgjedhjet e fundit të pjesshme në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira. Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve kyçe të interesit, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – nën lehtësimin e BE-së”, thueht në njoftimin zyrtar.