Drejtori i CIA-s, Bill Burns, ka zhvilluar një bisedë të rrallë me presidentin rus, Vladimir Putin. Biseda është mbajtur në Moskë, javën e kaluar. Tema, sipas CNN, ka qenë shqetësimi i Amerikës për vendosjen e trupave ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën.
Lajmi është konfirmuar nga burime nga të dyja palët. Imazhet satelitore nga Maxar Technologies javën e kaluar tregojnë manovra jo të zakonshme të trupave ruse, gjë që ka shqetësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi po e bën të mendojë se Rusia po mendon për një pushtim të Ukrainës.
Për këtë arsye, Presidenti Joe Biden ka dërguar në Moskë kreun e CIA-s, për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm. Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha për CNN, i cili raportoi fillimisht për bisedën, se Putin dhe Burns folën në telefon.
Peskov tha se të dy diskutuan “marrëdhëniet dypalëshe, situatën e krizës në praktikën diplomatike dhe një shkëmbim pikëpamjesh mbi konfliktet rajonale”.
“Sigurisht që u përmendën edhe çështjet e sigurisë kibernetike,” shtoi ai. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha javën e kaluar se rreth 90,000 trupa ruse janë grumbulluar përgjatë kufirit në Ukrainën lindore. Imazhet satelitore tregojnë se Rusia ka pozicionuar pajisje ushtarake – duke përfshirë tanke, artileri vetëlëvizëse dhe raketa – pranë kufirit.