Një 38-vjeçar është vënë në pranga në Portin e Durrësit pasi tentoi që të fuste në vendin tonë 34 000 euro që dyshohet t’i ketë përfituar nga veprimtari kriminale.

Bëhet e ditur se shërbimet e Policisë kaluan në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjetin tip furgon të linjës “Bari-Durrës”, me drejtues 38-vjeçarin J. Z.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, policia gjeti 34 000 euro të cilat personi i vënë në pranga ua kishte ndarë 4 pasagjerëve në furgonin e tij, me qëllim futjen në vend, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.

38-vjeçari, banues në Tiranë u arrestua për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.