400 litra naftë kontrabandë janë sekuestruar në pikën kufitare të Morinës ndërsa në pranga ka rënë një 30-vjeçar.
Sic njofton policia, i riu po tentonte të fuste drejt vendit tonë naftën kontrabandë, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin transportohej.
Njoftimi i policise:
Tentoi të kalonte në territorin e vendit tonë, qindra litra naftë të kontrabanduar, kapet në flagrancë dhe arrestohet 30-vjeçari.
Sekuestrohen 400 litra naftë e kontrabanduar dhe automjeti me të cilin transportohej kjo sasi.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Morinës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë, bazuar në analizën e riskut dhe në vijim të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasin:
– J. N., 30 vjeç, banues në fshatin Çorraj, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, automjetin që drejtohej nga 30-vjeçari, ku kanë gjetur 400 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin transportohej.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.