Një 47-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Kukës, pasi mbrëmjen e 5 shtatorit tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas për motive të dobëta.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se në pranga ka rënë edhe nipi i 47-vjeçarit, për mos-kallëzim krimi, shkruan A2 CNN.

Po ashtu, Policia bën të ditur se 47-vjeçari i arrestuar ka qenë edhe më parë i dënuar për armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme hetimore.

Njoftimi i Policisë:

Kukës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Episodi”.

Mbrëmjen e datës 5 shtator, tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, lokalizohet dhe kapet 47-vjeçari.

I ndaluari, i dënuar më parë, për armëmbajtje pa leje.

Në pranga dhe nipi i tij, i pranishëm gjatë konfliktit në lagjen nr. 5, pasi nuk kallëzoi krimin.

Si rezultat i kontrolleve dhe administrimit të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të implikuar në rastin e datës 05.09.2025, rreth orës 21:00, në lagjen nr. 5, Kukës, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, u qëllua me armë zjarri, në drejtim të shtetasit H. A. (nga të shtënat nuk pati të dëmtuar), specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Kukës finalizuan operacionin “Episodi”.

Gjatë operacionit u ndalua autori i dyshuar, i identifikuar menjëherë pas ngjarjes, shtetasi F.(U.) D., 47 vjeç, banues në fshatin Pobreg, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.