Arbër Meçaj është emri i 38-vjeçarit shqiptar që humbi jetën ditën e djeshme në shtetin italian, duke tentuar t’i shpëtonte forcave të policisë pasi posedonte kokainë në makinën e tij.

Sipas mediave italiane mësohet se policia ka qenë në pritë për Meçajn, pasi kishin informacione se së bashku me bashkëpunëtorin e tij 26-vjeçar ishin duke transportuar drogë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 në zonën e Nettuno,afër Romës, kur dy automjete që lëviznin me shpejtësi të lartë tërhoqën vëmendjen e dy patrullave të policisë italiane.

Patrullat nisën ndjekjen e menjëhershme të automjeteve. Njëra prej makinave u ndal pak minuta më vonë dhe në të ndodhej një 26-vjeçar italian, i cili u arrestua në vendngjarje.

Ndryshe ndodhi me mjetin tjetër, një Fiat Cinquecento, i cili vazhdoi arratinë duke hyrë në një rrugë të dëmtuar. Automjeti përfundoi duke u përplasur me një shtyllë telefoni dhe u rrotullua disa herë

Kur policia mbërriti në vendin e aksidentit, shoferi , një shtetas shqiptar 38 vjeç, kishte ndërruar jetë. Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmën e parë, ai nuk mundi të shpëtohej. Trupi i tij u transportua në spitalin Policlinico Tor Vergata për ekzaminime të mëtejshme.

Ndërkohë, brenda makinës së 38-vjeçarit u gjet një çantë e madhe me 23 pako që përmbanin 25 kilogramë kokainë, sasi kjo me vlerë të konsiderueshme në tregun e zi të drogës.

Sakaq, autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbuluar nëse dy të ndaluarit janë pjesë e një rrjeti më të gjerë trafikimi.