Erion Murataj PSD

Më shumë se 200 të plagosur, por thuajse asnjë dëm material. Tërmeti i fundit duket se nuk e preku rëndë Stambollin. Por studiuesit presin së shpejti tronditje më të rënda.

Pas tërmetit me tronditje të forta që preku Stambollin, shkencëtarët besojnë se mund të pasojnë goditje të tjera.

“Për momentin ekzistojnë dy skenarë: ose rajoni i drejtpërdrejtë ku ndodhi tërmeti është shtendosur tani për tani dhe situata sizmike po qetësohet dalëngadalë, ose rishpërndarja e tensionit sizmik të krijuar nga tërmeti do ta rrisë mundësinë e një tërmeti më të madh në rajon,” tha Marco Bohnhoff studiues pranë Qendrës Helmholtz për Gjeodezinë (GFZ). Ne po i ndjekim dhe po i vrojtojmë zhvillimet sizmike në rajon me shumë vëmendje, sqaroi ai.

Rajon me rrezik të veçantë

Tërmeti i tanishëm ishte më i forti prej më shumë se 25 vjetësh në këtë rajon. Sipas GFZ-së tërmeti i parë pati një magnitudë prej 6.2 ballësh, dhe ishte në një thellësi prej rreth dhjetë kilometrash, rreth 60 kilometra në perëndim të Stambollit në Detin Marmara.

Vetëm 13 minuta më vonë toka u trondit sërish, këtë herë me një magnitudë prej 5.3 ballësh në një distancë prej rreth 40 kilometrash. Lëkundjet u ndjenë edhe në Greqi dhe Bullgari.