Mbrëmjen e djeshme në orën 22:37, një tërmet 4.7 ballë i shkallës Rihter goditi Shqipërinë. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile dhe Igjeum, epiqendra ishte 3 km në jug të Klosit dhe lëkundjet u ndjenë në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Sipas IGJEUM, nata nuk ka qenë e qetë. Gjatë orëve të para të mëngjesit janë regjistruar edhe disa pas lëkundje të tjera. Deri më tani, nga tërmeti i fortë i mbrëmshëm janë raportuar dëme të lehta në Njësinë Administrative Xibër, Bashkia Klos, në disa banesa ku ka pasur plasaritje të mureve. Gjatë ditës së sotme pritet një investigim më i qartë i situatës në këto zona.
Qyetetarë të shumtë në kryeqytet dolën nga shtëpitë e tyre si shkak i panikut që krijuan lëkundjet e tërmetit. Të traumatizuar nga kujtimet e hidhura të 26 nëntorit 2019, qytetarët zgjodhën të kalonin disa orë në sheshe dhe vende pa ndërtime në kryeqytet.