Inxhinierët po përpiqen me çdo mënyrë të stabilizojnë “Kullën e Mijëvjeçarit”, një qiellgërvishëse luksoze rezidenciale në San Francisko që po zhytet në tokë.

Ata thonë të shqetësuar se ndërtesa gjigante po anohet me gati 8 cm në vit. Inxhinieri Ronald O. Hamburger bëri vlerësimin e tij për situatën gjatë një seance dëgjimore në këshillin bashkiak, ku paraqiti propozimin për ndërhyrje urgjente në themelet e strukturës.

Kulla 58-katëshe, 196 metra e lartë, e hapur për banorët në vitin 2009, tani po anon me gati 60 cm në veri dhe në perëndim në Fremont dhe Mission Streets, në zemër të distriktit financiar të San Franciskos, raportoi dega lokale e NBC News. Banorët u informuan se ndërtesa po zhvendoset në mënyrë të pabarabartë dhe më shumë nga sa pritej në 2016.

Kulla ndodhet pranë Qendrës Transit Salesforce, një terminal autobusi dhe vendi ku po ndërtohet një stacion i rrjetit hekurudhor të Kalifornisë për trenat e shpejtësisë së lartë. Përpjekjet për të stabilizuar rrokaqiellin e fundosur dhe të anuar duket se i kanë përkeqësuar gjërat. Verën e këtij, ekspertët i ndaluan përpjekjet për forcimin e themeleve, sepse panë që ai mund të rezultonte me rrezik, por tani duket se do të tentojnë sërish me një numër tjetër shtyllash mbështetëse.