Dy vëllezër që kryen shpërthime vetëvrasëse në Aeroportin e Brukselit dhe në metron Maelbeek më 2016 së pari kanë kryer një vrasje të rëndomtë për të parë se çfarë ndjenje është vrasja e një njeriu, sipas hollësive të hetimeve të publikuara nga gazeta “De Morgen”.

Sulmuesit ishin Ibrahim El Bakraoui, i cili e hodhi veten në ajër në Aeroportin e Brukselit më 22 mars 2016, dhe vëllai i tij, Khalidi, i cili e bëri të njëjtën gjë në një stacion treni rreth një orë më vonë

Në sulmin e kombinuar mbetën të vrarë 21 persona, ndërsa mbi 300 të tjerë u lënduan. Të vdekur mbetën edhe dy sulmuesit, shkruan Brussels Times, transmeton Gazeta Express.

Hollësitë e sulmit bazohen në rrëfimin e Osama Krayem-it, shtetas suedez që besohet se i ka furnizuar sulmuesit dhe që ishte i pranishëm në stacionin e trenit kur ndodhi sulmi.

“Khalidi më tregoi se ai dhe Ibrahimi e kanë qëlluar dikë në rrugë, dikë të zgjedhur rastësisht. E pyeta se çfarë ka ndodhur tjetër. Ai më tha se policia e ka gjetur trupin dhe kaq. Qeshi kur më tregoi”, thuhet në deklaratën e këtij të dyshuari.

Në një intervistë tjetër me hetuesit, Krayem-i kishte deklaruar: “Khalidi më shpjegoi se i vrari ishte një i moshuar dhe se ata dëshironin të provonin se si ishte të vrasësh dikë.”