Agjencia Amerikane e Inteligjencës (CIA) kërkon vigjilencë maksimale nga të gjitha vendet në botë nga rreziku i sulmeve të mundshme që mund të vijnë nga lista me 65 organizata të përcaktuara nga Departamenti i Shtetit si Terroriste. CIA ka publikuar të dhënat e rifreskuara për cdo shtet për rrezikun që mund t’i vijë.

Informacioni i ofruar përfshinë detaje mbi historinë e secilit grup të cituar, qëllimet, udhëheqjen, organizimin, zonat e operacionit, taktikat, armët, madhësinë dhe burimet e mbështetjes.

Dy nga rreziqet kryesore janë ISIS dhe Garda Revolucionare Islamike e Iranit. Shqipëria ka qenë në vitet e fundit në fokus të veprimeve dhe deklaratave të autoriteteve të regjimit të Iranit pas strehimit të muxhahedinëve.

“CIA” paralajmëron të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë se agjentët iranianë janë “aktivë në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, si dhe Afganistanin, Gazën, Irakun, Libanin, Sirinë dhe Jemenin dhe kanë një aftësi për të kryer sulme në të gjithë botën nëse udhëheqja iraniane e kërkon.

Vitet e fundit, planifikimi për sulme terroriste është zbuluar dhe parandaluar në një numër vendesh në mbarë botën, përfshirë Shqipërinë, Bahreinin, Belgjikën, Bosnjën, Bullgarinë, Danimarkën, Francën, Gjermaninë, Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara” thuhet në raport.

Shqipëria duhet të jetë vigjilente për shkak të opozitarëve që ka strehuar, pasi anëtarët e MEK-ut janë në qendër të goditjes së regjimit iranian. “Mes objektivave janë disidentët iranianë” shkruan CIA.

Në 2019 Shqipëria zbuloi dhe goditi një celulë terroriste iraniane që kishte objektiv një sulm në mars të vitit 2018 në festën e Sulltan Novruzit. Gjithashtu Shqipëria ka dëbuar disa diplomatë iranianë./ db/Abcnews.al