Një sherr i pazakontë u raportua disa ditë më parë nga Vox News, ku u zbulua sesi oficerët e Shërbimit Informativ Shtetëror, një nga institucionet bërthamë të sigurisë kombëtare, ishin rrahur me njëri-tjetrin. Bëhet fjalë për dy agjentët e narkotivëve në SHISH Elbasan E.L dhe Y.LL. por çfarë ka ndodhur më konkretisht? Burime të mirë-informuara i thanë Vox News se sherri në fjalë i është mbajtur tërësisht i fshehur ndaj Drejtorisë së Disiplinës në SHISH.
Më konkretisht, disa javë më parë, 4 oficerë të SHISH ishin në një automjet duke udhëtuar nga Përrenjasi drejt Elbasanit. Brenda në automjet ndodheshin 4 agjentët, E.L, Y.Ll, N.H dhe N.B. Mjeti, pronë e SHISH po drejtohej nga J.L.
Një patrullë policie i pikasi agjentët të dehur dhe duke u konfliktuar brenda automjetit. Në këtë moment, i ka dhënë shenjë ndalimi dhe për mbështetje kanë shkuar furgonat e drejtorisë së Elbasanit, që kanë bërë arrestimin e tyre dhe bllokimin e mjetit.
Ish-drejtori i SHISH në Elbasan shkon me urgjencë në Drejtorinë Vendore të Policsë dhe bashkë me nëndrejtorin e Policisë vendosën lirimin e automjetit të SHISH dhe 4 agjentëve, kundër çdo procedure që përcakton ligji për shoferët që i japin makinës në gjendje të dehur.
Duke përfshirë edhe Policinë e Shtetit në këtë histori, agjentët e SHISH së bashku me drejtorin e izoluan incidentin duke mos e raportuar atë në asnjë nga kanalet e brendshme informuese të SHISH dhe ndaj Komisionit të Disiplinës, duke e shkelur dy herë ligjin.
Por kush janë agjentët? Vox News i disponon identitetet e tyre, por për ruajtjen e emrave të tyre si agjentë që janë në shërbimin sekret shqiptar do të mjaftohet me inicialet.
Ky incident tregon një problem të thellë të kalbjes së SHISH në qarkun e Elbasanit dhe ndarjes së agjentëve në bazë të zonave që shihen si “strategjike”.
Pavarësisht se Vox News e ka raportuar lajmin disa ditë më parë, ende Shërbimi nuk është distancuar apo të ketë marrë masa për këtë ngjarje.
Elbasani shihet si një qark strategjik për trafikun e drogës dhe rrjetet kriminale që e përdorin këtë zonë si nyje kalimi.
A rrezikohet misioni i Shërbimit Informativ Shqiptar nga këta agjentë?
©Copyright Vox News