Një 30 vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi është konstatuar duke lëvizur me shpejtësi në zonat e banuara dhe përdorte aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit. Neësbomb.al mëson se në pranga ka rënë shtetasi Denis Shima.

Duke vlerësuar riskun që ky shtetas paraqiste duke drejtuar mjetin në mënyrë jo të rregullt, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur dhe ka vazhduar lëvizjen. Menjëherë, Patrulla i është vënë në ndjekje dhe ka kërkuar dhe përforcime.

Shoferi i dehur në timon, siç blutë e Tiranës verifikuan më vonë me anë të aparatit, gjatë tentativës për t’u larguar ka aksidentuar shtetasin D. B., 61 vjeç në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, dhe më pas në rrugën “Sulejman Delvina” ka përplasur një mjet tip taksi dhe është larguar.

Në afërsi të ish-sheshit “Shqiponja”, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur ndalimin e automjetit, drejtuesi i të cilit pas testit të alkoolit ka rezultuar në gjendje të dehur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

30 vjeçari Denis Shima u arrestua , për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundështimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.