Jepet masa e sigurisë për 6 të arrestuarit, të akuzuar për tjetërsimin e mbi 10 mijë m2 truall në Sarandë.

Gjyqtari Shkëlzen Licaj ka liruar 4 nga 6 të arrestuarit, edhe pse Prokurori Kledian Llaho kishte këruar masën “Arrest ne burg” për 5 prej tyre dhe “Arrest shtëpie” për juristen Rovena Alikaj.

Pas 3 ore e gjysmë seance, u vendos lirimi nga burgu për Pandi Zhongen, Drejtor i Urbanistikes ne Bashki, Rovena Alikajn, juriste në ASHK, Arhondia Caraj, përfituese trualli dhe Valter Llomi, përfitues trualli.

Ndërkohë për noterin Aleko Anagnostin dhe një nga përfituesit e truallit, Fredi Merkuri, u dha masa “Arrest në burg” me afat 45 ditë.

Seanca nisi rreth orës 10:30. Dy furgona të forcave “Shqiponja” kanë sjellë në Gjykatën e Sarandës, të arrestuarit: Drejtorin e Urbanistikes në Bashkinë Sarandë, Pandi Zhonga, noterin Aleko Anagnosti, juristen e ASHK, Rovena Alikaj dhe përfituesit e truallit Fredi Merkuri, Arhondia Caraj dhe Valter Llomi.

Tre të parët akuzohen për “shpërdorim detyre”, ndërsa përvetësuesit e truallit për “falsifikim dokumentesh.

Prokuroria e Sarandës caktoi masën e sekuestros preventive për sipërfaqen e tokës prej rreth 10 mijë metra katrorë, e cila  përmes dokumenteve të falsifikuara kaloi nga tokë shtet, lulishte, në pronësi të 3 shtetasve.

“Sipas burimeve nga Prokuroria e Sarandës dyshohet se tjetërsimi i sipërfaqes së tokës, tashmë nën sekuestro paraprake, është kryer përmes falsifikimit të dokumentave, miratimit të lejeve të ndërtimit nga bashkia Sarandë dhe hipotekimit më pas në zyrën e kadastrës”, informoi VOA.

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË SARANDË

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në kuader të procedimit penal Nr. 605 të vitit 2020, pas zbatimit të urdhërave të ndalimit, ka kërkuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqesor Sarandë caktimin e masës së sekuestros preventive në lidhje me pasuritë objekt hetimi, të cilat dyshohet se jane regjistruar në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës Sarandë mbi bazën e dokumentave të falsifikuara.

Gjykata e Rrethit Gjyqesor Sarandë me vendimin Nr.50 dt. 02.06.2022, ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive për një siperfaqe toke prej 10 230 m2, ndodhur në Turizëm-Kanal i Çukës Sarandë, në afërsi të vijës bregdetare.

Në vazhdim, organi i akuzës po vijon punën për vleftësimin në gjykatë të urdhërave të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë për 10 persona të dyshuar për veprat penale “shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ‘falsifikimi i dokumenteve’ parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Në këtë veprimtari dyshohet se janë të përfshirë nënpunës shtetërorë, biznesmenë dhe shtetas të tjerë.