Kryetari i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi; ish-deputeti i PDIU, Aqif Rakipi dhe kryeministri Edi Rama duket se janë në krizë të re politike. Disa javë më parë, Rama urdhëroi largimit e drejtorëve të Tom Doshit dhe Aqif Rakipit nga çdo post që ata mbanin në qeverisje vendore dhe kjo duket se është shkaku kryesor që Toma dhe Qifja, siç i thërrasin me përkëdheli, kanë zgjedhur që t’i hapin luftë politike Edi Ramës. Burime bëjnë më dije se Tom Doshi së bashku me deputetët e tij ka vendosur që të dalin në opozita, sikundër e tregojnë edhe faktit pasi prej disa javësh ligjvënësit e PSD nuk kanë votuara asnjë ligj apo marrëveshje të qeverisë në Kuvendin e Shqipërisë.
Por kur na ndan edhe një vit e pak nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 ky është një sinjal jo i mirë për Ramën. Miqtë e tij më të ngushtë po i largohen nga karvani i qeverisjes në një moment aspak të volitshëm. Janë të shumta dhe të komplikuara arsyet që çuan kryeministrin Edi Rama, të propozojë variantin ekstrem për Tom Doshin, Aqifin dhe drejtorët e tyre. Por, arsye kryesore duket se janë raportet konfliktuale të ish-deputetëve Doshi dhe Rakipi me të paktën pesë ministra dhe disa drejtorë të qeverisë. Disa javë zhvillim i papritur ka ndodhur në qytetin e Shkodrës, pasi drejtorët e emëruar nga Tom Doshi kanë filluar të zëvendësohen.
Prapaskenat
Kujtojmë se Edi Rama shumë drejtori e dikastere ja ka dorëzuar Tom Doshit dhe Aqif Rakipit që në zgjedhjet e 2021, në këmbim të votave në Parlament, sidomos në zonën e Shkodrës, Tiranës dhe Elbasani, ku dy ish-deputetët kanë influencë. Por postet u shtuan pas zgjedhjeve vendore. Një prej institucioneve që mori Partia Social Demokrate ishte Këshilli i Qarkut në Shkodër. Në krye të tij u vendos Marina Duhani. Ajo u emërua në këtë post në qershor të vitit 2023 në kuadër të një pakti PS-PSD edhe për zgjedhjet vendore, ku PS korri për herë të parë fitore në Shkodër.
PSD ka këmbëngulur në marrjen e këtij posti, nisur edhe nga fakti se në nivel qarku, kjo forcë politike ka siguruar numrin më të madh të këshilltarëve, 37, ose një më shumë se PS- ja. Por mësohet se ajo sot ka njoftuar dorëheqjen, por që sipas burimeve ka qenë dorëheqje e imponuar. Ajo do të zëvendësohet nga Edmond Ndou. Mësohet se Duhani u dorëhoq nga detyra teksa grupi i Partisë Socialiste po finalizonte dokumentacionin për shkarkimin e kryetares së Këshillit të Qarkut të Shkodrës, ku ishte siguruar shumica absolute e firmave. Ndërsa Edmond Ndou aktualisht është edhe kryetar i grupit të Këshilltarëve të PS-së në Këshillin Bashkiak Shkodër. Më herët ai ka qenë edhe koordinator i LSI-së për Shkodrën ndërsa me largimin e deputetit Agron Çela nga kjo forcë politike dhe bashkimin e tij me PS, Ndou shkoi pas tij. Por nuk mbyllet me kaq.
Mësohet se kanë paraqitur dorëheqjet edhe Rezarta Pode nga Illyrian Guard për Shkodrën dhe drejtori rajonal i ARRSH- së Ervin Sadiku. Që të dy janë nga radhët e PSD. Pra duket se tashmë buka mes Ramës dhe çiftit Doshi-Rakipi është thyer dhe kanë nisur spastrimet. Megjithatë mbetët të shihet në ditët në vijim se cfarë do të ndodhë më konkretisht. Ndërkohë nuk është çudi që vendin e Doshit ta zërë Shpëtim Idrizi, i cili shkon nga ka interesin. U bënë disa herë që PDIU bashkon votat me PS dhe dje në Kuvend partia çame bëri të njëjtën gjë, votoi ligjet e qeverisë.