Dy persona janë shoqëruar në polici si të dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit, Renis Dobra i gjetur i pajetë buzë liqenit të Shkopetit disa ditë më parë.
Bëhet fjalë për Petrit Çakrri alias Hoxha i arrestuar në Lekbibaj të Tropojës, dhe Fatjon Bushgjokaj, i arrestuar në Tiranë, të shpallur në kërkim më herët nga autoritetet së bashku me Aleksandër Bushgjokaj dhe Kristë alias Kristi Bushgjokaj (vëllezër të Fatjon Bushgjokajt), si autorët kryesorë që fshihen pas rrëmbimit, torturimit dhe vrasjes së Dobrës. Sipas asaj që raportohet në media, të shoqëruar janë dhe disa persona të tjerë si të dyshuar se kanë dijeni për ngjarjen në fjalë.
Renis Dobra u denoncua i zhdukur nga familjarët mbrëmjen e 8 Korrikut ndërsa u gjet i pajetë mëngjesin e ditës tjetër pranë liqenit të Shkopetit, në fshatin Madhesh.
Sipas hetimeve, Petrit Çakrri ka marrë me qira dy automjete në zonën e Rinasit, një Range Rover të zi dhe një Honda të bardhë, që dyshohet se janë përdorur gjatë krimit.
Grupi hetimor ka zbuluar lëvizjet e automjeteve të marra me qira përmes GPS dhe pamjeve filmike të kamerave të sigurisë. Pasi janë përdorur për krimin, mjetet janë dorëzuar dhe janë marrë automjete të tjera me qira, për të humbur gjurmët.
Sipas të dhënave nga hetimet, automjeti me të cilin udhëtonte Çakrri, i cili më vonë ka ndryshuar mbiemrin në Hoxha, ka ndjekur të njëjtën trajektore me viktimën, Renis Dobra.
Shkaku i vrasjes lidhet me tregtinë e kokainës në Gjermani, ku Renis Dobra kishte qenë më parë i arrestuar dhe dënuar nga drejtësia e këtij vendi.
Sipas informacioneve të mbledhura nga policia e Dibrës, ai dyshohet se vite më parë punonte si shpërndarës droge në Gjermani, për llogari të një grupi kriminal që drejtohej nga 3 vëllezërit Bushgjokaj nga Tropoja.
Në disa raste, Dobra nuk kishte dorëzuar shumat e fituara nga shitja e drogës, duke pretenduar se lëndën narkotike e kishte hedhur në rrugë apo liqen, për arsye se po e ndiqte policia. Kjo ka ngritur dyshime tek vëllezërit Bushgjokaj, të cilët kanë besuar se ai i kishte mashtruar dhe vjedhur paratë e tyre.