Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet italianë kanë vënë në pranga tre persona për trafik të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak.
Një prej të arrestuarve është një 30-vjeçar nga Malësia e Madhe, i cili dyshohet si personi që dërgoi porosinë drejt Italisë. Në pranga ranë edhe dy drejtues të një mikrobusi për udhëtarë.
Në bagazhet e këtij mjeti u gjetën 5 kallashnikovë, qindra fishekë luftarakë dhe katër krehra fishekësh.
“Sekuestrimi u bë në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ku u ndalua mikrobusi i nisur nga Shqipëria me destinacion Italinë, i drejtuar nga shtetasit E. M. dhe A. D.. Të dy këta shtetas janë shoqëruar nga Policia Italiane për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.
Sipas hetimeve rezultoi se 30-vjeçari i niste armët drejt Italisë kundrejt fitimit financiar.
“Nga grumbullimi dhe analiza e informacionit, rezultoi se ky shtetas siguronte armë dhe municione luftarake për palë të treta në BE, duke përdorur shoqëri transporti privat dhe duke i kamufluar në valixhe me sende të ndryshme”, njoftoi policia.
Po ashtu bëhet me dije se ai ka qenë i dënuar dy herë si kreu i një grupi kriminal që vepronte në një qytezë pranë Milanos.
Ndërkohë vijojnë hetimet në të dyja vendet për kapjen e pritësit të armëve si dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet./tvklan.al