
Dy shtetas të Kosovës kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi tentuan të shisnin armë me vlerë 10 mijë euro.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet pas hetimeve disamujore, operacioni policor i koduar “Suspend”.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova, me qëllim shitjen. Sekuestrohen 2 pistoleta dhe municion luftarak.
Vihen në pranga 2 shtetas kosovarë të cilët dyshohet se i kanë trafikuar 2 pistoletat, me qëllim shitjen në Tiranë, me vlerë afro 10 000 euro.
Si rezultat i hetimeve disamujore të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Suspend”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit:
A. P., 23 vjeç dhe K. P., 53 vjeç, të dy banues në Kosovë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në autostradën “Lezhë – Fushë Krujë”, automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit A. P. dhe K. P., në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar pistoletat nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë.
Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
