Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një familje shqiptare nga Kosova në orët e para të mëngjesit të së enjtes së kaluar.
Një 13-vjeçar ka qëlluar babanë e tij me një plumb në kokë pasi nuk mund të duronte dhunën ndaj nënës së tij. Nëna u shpjegoi hetuesve se gjithçka kishte nisur pas një sherri mes saj dhe bashkëshortit.
Mbrëmjen e ngjarjes tragjike ai kishte shkuar i dehur në shtëpi duke shfaqur sjellje agresive. Mjeku megjithatë tha se në trupin e saj nuk kishte asnjë shenjë të dhunës fizike.
Megjithatë familjarët pretendojnë të kundërtën. Ata thonë se djali i madh i familjes vetëm 13-vjeç nuk mund ta duronte kërcënimin ndaj nënës së tij.
Ai shkoi të merrte armën e babait të tij dhe u kthye në kuzhinë. Aty më pas qëlloi ndaj babait të tij, në sy të nënës dhe motrës së vogël vetëm 7-vjeçare.
Djali më pas u largua me vëllanë e tij më të vogël. Ata fshehën armën në disa shkurre pranë shtëpisë dhe më pas u endën deri sa zbardhi dita rrugëve të Nancyt, para se të dorëzoheshin në polici. Djali pranoi se e kishte kryer ai vrasjen dhe tashmë është dërguar në qelinë e paraburgimit. m.v/Abcnews.al