Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës në veriperëndim të Londrës, ku një nënë dhe tre fëmijët e saj kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri shkatërrues që përfshiu banesën e tyre.

Viktimat janë një grua 43-vjeçare, vajza e saj 15-vjeçare dhe dy djem të moshave tetë dhe katër vjeç. Një tjetër vajzë 13-vjeçare ndodhet në gjendje kritike në spital, ndërsa një grua 71-vjeçare, anëtare e së njëjtës familje, ka dalë nga spitali pas trajtimit për plagët e marra.

Policia Metropolitane ka arrestuar një burri 41-vjeçar në vendngjarje, i cili ndodhet ende në paraburgim. Hetimet janë në zhvillim dhe ngjarja po trajtohet si një rast i dyshuar për vrasje të shumëfishtë.

Sipas dëshmitarëve, familja ishte me origjinë pakistaneze dhe kishte jetuar prej vitesh në rrugën Tillett Close. Shërbimi i Zjarrfikësve të Londrës bëri të ditur se nëna dhe një nga fëmijët është nxjerrë nga kati i dytë i banesës, por për fat të keq, nuk i mbijetuan plagëve të rënda. Dy fëmijët e tjerë u gjetën të pajetë brenda shtëpisë gjatë operacionit të zjarrfikësve për shuarjen e flakëve.

Në afërsi të banesës së shkatërruar, qytetarët kanë vendosur lule dhe lodra në shenjë zie dhe solidariteti me familjen.

 “Jam e tronditur nga ajo që ka ndodhur,” u shpreh Cecilia Marquis, 60 vjeçe, një fqinje e cila ishte dëshmitare e zjarrit.

Policia ka nisur një hetim të plotë për shkaqet e zjarrit dhe ka theksuar se po trajtohet si një ngjarje e dyshuar kriminale me pasoja fatale.