Qytetarët kanë organizuar një tjetër protestë ditën e sotme nën moton “Drejtësi për Jonadën”, 7 vjeçaren e cila u vra nga skafi që drejtohej nga oficeri i policisë, Arjan Tase.

Ditën e sotme në orën 19:30 është paralajmëruar të nisë protesta e thirrur nga protestuesit të cilët u mblodhën para ministrisë së brendshme dhe kryeministrisë ku edhe vendosën ultimatum prej 72 orësh për shkarkimin e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro.

Duket se tashmë afati prej 72 orësh ka përfunduar dhe ende asnjë lloj lëvizje nuk është ndërmarrë. Sot protestuesit do të mblidhen për të kërkuar dorëheqjen e ministrave si përgjegjës kryesor për ngjarjet e rënda të ndodhura këtë sezon turistik.

Kreu i PD, Sali Berisha dhe kryetari i partisë së Lirisë, Ilir Meta kanë bërë me dije se do të jenë në mbështetje të protestuesve ashtu si të enjtën e 4 gushtit në marshimin që u mbajt për të miturën që humbi jetën në Potam të Himarës.