Presidenti truk Recep Tayyip Erdoğan e ka shpallur ditën e sotme, Ditë Zie Kombëtare, për shkak të tragjedisë që ndodhi ditën e djeshme pas një zjarri në një qendër skish, ku humbën jetën 76 persona.

Shumë prej pushuesve gjetën vdekjen pasi në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve, u hodhën nga dritaret e hotelit, ndërsa të tjerë përdorën çarçafë për të zbritur nga ndërtesa.

Zjarri shpërtheu rreth orës 3:30 të mëngjesit të së martës (21 janar) në restorantin e hotelit 12-katësh Grand Kartal në vendpushimin e Kartalkaya në provincën Bolu, në veri-perëndim të Turqisë.

“Ne jemi në dhimbje të thellë. Por duhet ta dini se kushdo që është përgjegjës për shkaktimin e kësaj dhimbjeje nuk do t’i shpëtojë drejtësisë,” deklaroi Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, pasi inspektoi vendin.

Yerlikaya tha se të paktën 51 persona të tjerë ishin plagosur dhe se 45 nga 76 viktimat ishin identifikuar. “Përpjekjet për identifikimin e viktimave të tjera janë duke vazhduar,” shtoi ai.