Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e së martës qytetin e Fenegròs në provincën e Komos, ku ka humbur jetën Paolo Saibene, 81 vjeç, ish-mekanik në pension.

I moshuari, që lëvizte me karrocë elektrike me rrota, u përplas për vdekje nga makina e portierit të dytë të Interit, Josep Martinez, 27-vjeçar.

Sipas informacioneve nga mediat italiane, përplasja ndodhi në Via Bergamo pak para orës 10:00 të mëngjesit. Saibene po udhëtonte vetëm në karrocën e tij elektrike, kur u godit papritur nga automjeti i futbollistit spanjoll.

Pas përplasjes, i moshuari pësoi lëndime të rënda dhe trauma të shumta, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë ambulanca dhe helikopteri i emergjencës. Fatkeqësisht, për 81-vjeçarin nuk kishte më asgjë për t’u bërë – ai ndërroi jetë pothuajse menjëherë.

Nga ana tjetër, Martinez u gjet në gjendje shoku dhe u kontrollua nga mjekët në vendngjarje.

Dëshmitarë okularë thanë se Saibene mund të ketë devijuar papritmas nga rruga, ndoshta për shkak të një gjendjeje shëndetësore, duke kaluar në korsinë e kundërt në momentin që makina e Martinezit po afrohej. Kjo lëvizje e papritur mendohet të ketë shkaktuar përplasjen fatale.

Karabinierët po vijojnë hetimet për të rindërtuar dinamikën e plotë të aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet e sakta të tij.

Pas tragjedisë, Interi anuloi konferencën për shtyp të planifikuar për orën 14:00 me trajnerin Christian Chivu, e cila do të zhvillohej në qendrën stërvitore të Pinetinës, përpara ndeshjes së së mërkurës ndaj Fiorentinës.