Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi vdekjen e foshnjës 5 muajshe në Greqi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur një ditë më parë ndërsa të dyshuarit kryesorë për këtë ngjarje, janë prindërit e foshnjes me origjinë shqiptare.

Fëmija është dërguar të dielën pasdite në Qendrën Shëndetësore të Paros pa ndjenja nga prindërit teksa mjekët konstatuan së fëmija nuk merrte frymë dhe se fatkeqësisht kishte ndërruar jetë. Dyshimet tregojnë se foshnja mund të jetë lënë për një kohë të gjatë në makinë, ndërsa prindërit ndodheshin në plazh.

Një banor i zonës deklaroi për televizionin grek Star se familja ishte në plazhin e Paraspóros dhe se e kishin lënë fëmijën në makinë për të fjetur, pasi kishte dremitur gjatë rrugës.

Një tjetër version që po hetohet është ai se foshnja mund të ketë qenë në diell për disa orë dhe ka humbur ndjenjat më vonë në shtëpi.

Sipas policisë greke, dëshmitë e prindërve nuk përputhen. Babai ka deklaruar se fëmija ishte me ta në plazh, ndërsa nëna ka pranuar se e kishin lënë në makinë. Këto kontradikta kanë ngritur më shumë dyshime për mënyrën sesi ndodhi vdekja fatale.

Pas konstatimit të vdekjes, mjekët njoftuan menjëherë policinë dhe çifti u arrestua. Ata u dërguan në komisariat dhe pritet të dalin përpara Prokurorisë së Syros, ndërsa hetimet vazhdojnë.