Një ngjarje tragjike tronditi këtë të diel qytetin e Maliqit, në qarkun e Korçës, ku një zjarr i rënë në një banesë ka shkaktuar humbjen e jetës së dy personave dhe plagosjen rëndë të një tjetri.
Zjarri ka shpërthyer rreth orës 13:30 në një banesë familjare, ku ndodheshin një nënë 40-vjeçare së bashku me dy fëmijët e saj. Si pasojë e flakëve dhe tymit të dendur, nëna Merjeme Azisllari, dhe djali i saj, Luka Azisllari, 14 vjeç, humbën jetën nga asfiksia.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe ambulancat, të cilat kanë transportuar me urgjencë dy fëmijët drejt Spitalit Rajonal të Korçës. Fatkeqësisht, 14-vjeçari nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra, ndërsa fëmija tjetër, 6-vjeç, ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Shkaqet e zjarrit kanë ardhur si pasojë e sobës me dru që familja përdorte për ngrohje.