Trajneri i Hungarisë, Marco Rossi e konsideron si një ndeshje finale sfidën kundër Shqipërisë e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror ‘Katar 2022’.

Në rast të një humbje, Hungaria del nga gara për vendin e dytë. Në prag të kësaj përballje, trajneri Rossi ka vlerësuar edhe njëherë tjetër kuqezinjtë duke kujtuar se futbollistët tanë luajnë në kampionatet më të mira të Europës. Rossi tha se mungesa e tifozëve vendas në stadium avantazhon Shqipërinë.

“Shqipëria ka 12 lojtarë që luajnë në kampionatet më të mira të Europës, Hungaria ka vetëm 4 lojtarë të tillë. Sigurisht, ne do të bëjmë gjithçka për ta fituar këtë takim. Por që në nisje të shortit ishte e ditur se Anglia do të ishte e para, Polonia e dyta dhe ne do të luftonim me Shqipërinë për vendin e tretë. Nuk jemi surprizuar, kemi ende një shans dhe do të luftojmë për të. Jam i vetëdijshëm se po luajmë shansin e fundit për vendin e dytë. Duhet të fitojmë për shkakun se jemi më lart në FIFA dhe UEFA, por për punën që kemi bërë në këto vitet e fundit”, u shpreh Rossi.

Sfida mes Hungarisë dhe Shqipërisë do të luhet nesër (të shtunën) në orën 20:45.