Sërish telashe për mjekun italian Tullio Simoncini i cili trajtonte me mesazhe në Whatsapp apo me lidhje skype katër pacientë.
Disa prej tyre vuanin nga kanceri ndërsa një pjesë me sëmundje të tjera, duke u rekomanduar bikarbonat pavarësisht se për këtë arsye ishte përjashtuar nga radhët e mjekëve në vitin 2006.
Sipas mediave italiane faktet datojnë që në vitin 2016. Simoncini jepte recetat e tij në distancë në Romë apo Tiranë pavarësisht se nuk i lejohej ta ushtrojë profesionin e mjekut.
Në vitin 2018 pas vizitave që kishte kryer me katër pacientë, ai u dënua në shkallën e parë me 5 vite burg me akuzën e vrasjes nga pakujdesia të Luca Olivotto, nga Catania, 27 vjeç i cili vuante nga tumori në kokë.
I riu ishte trajtuar me bikarbonat në një klinikë në kryeqytetin shqiptar ku Simoncini ushtronte profesionin fshehurazi.
Por ky nuk është rasti i vetëm i trajtimit të pacientëve teksa ishte i ndaluar për ta ushtruar profesionin e mjekut. Në tetor të vitit 2016, Simoncini zhvilloi konsultë me një paciente në Rumani. Në të njëjtin muaj ai zhvilloi një vizitë përmes skype me një tjetër paciente nga Castrovillari.
Ndërkohë që në nëntor të bitit 2016 ai shkëmbeu mesazhe me një paciente të prekur nga tumori ku i rekomandonte asaj trajtim me bikarbonat. Një pacient i cili është pyetur si dëshmitar tha se pagoi 200 euro për një vizitë. Çmimi i trajtimit të plotë arrinte deri në 7 mijë euro.