Këtë të enjte, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ish drejtoresha e Kadastrës në Durrës, Rajmonda Dashi.

SPAK e akuzon Dashin, për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Sipas SPAK, Dashi ka ndihmuar në pastrimin e parave dy vëllezër, të dënuar nga autoritetet belge të drejtësisë, për vepra penale të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike. Por si funksiononte skema?

Dy vëllezërit bashkëpunonin me ish drejtoreshën dhe një person tjetër , dhe kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.

Ata kanë transferuar pasuri me qëllim fshehjen e orgjinës së paligjshme, kanë fshehur, mbuluar pronësi ose të drejta në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale, si dhe nëpërmjet fitimit të pronësisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.

Ndaj Dashit, gjykata ka caktuar masën e arrestit në shtëpi.

Ndërkaq, Gjykata e Posacme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 29, datë 23.10.2023 ka vendosur sekuestrimin për pasuritë e mëposhtme:

12 (dymbëdhjetë) apartamente në qytetin e Fierit;

4 (katër) apartamente në qytetin e Tiranës;

3 (tre) ambiente me funksion garazh në qytetin e Tiranës;

27 (njëzetë e shtatë) llogari bankare;

Një shoqëri tregëtare;

2 (dy) automjete;

Hetimi vazhdon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe identifikimi i pasurive të tjera./abcnews.al